Shehi e Colella besimplotë për fitoren e derbit: Nuk vlen sezonin, por është i rëndësishëm

Gjithçka gati për derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit.

Dy ekipet i kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve për duelin që mund të vlejë sezonin. Tirana shkon në epërsinë e dy pikëve në këtë përballje, me bardheblutë që luajnë për dy rezultate për të mbajtur pas krahëve pikërisht të kuqtë.

Trajneri Orges Shehi ka punuar si në mbrojtje ashtu edhe në sulm për atë që do të bëj grupi në fushë, duke ngritur kurth perfekt për rivalët.

Me pesë mungesa, sidomos në sulm, dilemat e Shehit janë se mëdha, me Berishën e Haxhiun që do të rivalizojnë për fanellë titullari me Gjumsin. Tirana ka shënuar më shumë gola në këtë sezon. 48 golat e shënuar deri më tani e bëjnë atë skuadrën më rezultative.

“Unë mendoj se pas kësaj janë dhe tre ndeshje të tjera të rëndësishme, për objektivin final. Ne jemi shumë të kënaqur që vijmë në këtë moment të kampionatit në këto pozita. Në vendin e parë dhe në finalen e Kupës. Por janë shumë pak ditë edhe këto ditë janë ato që i japin frytet e djersës që ke derdhur gjatë gjithë vitit. Shpresoj që të jemi në më të mirën tonë, sepse duke qenë në më të mirën tonë, atëherë edhe rezultati është më afër, por kjo do dhe pak fat” tha Shehi para këtij dueli.

Ndërkaq, presioni do të jetë i lartë në radhët e Partizanit, e dënuar për të marrë vetëm maksimumin me synimin për të mbetur në garë për titullin kampion.
Trajneri Colella nuk pritet të bëj shumë eksperimente me lojtarët që do të hedh në fushë, duke mos kursyer askënd. Cara e Hoti pritet të ulen në stol për t’i dhënë hapësira, Mba dhe Da Silvës.

“Është ndeshje e vështirë sepse përcakton fatet e sezonit sepse kemi diferencë 2 pikë. Të bësh këtë punë, duhet të përballesh me ndeshje të tilla. Jemi  mirë, po përgatitemi mirë. Si rrallë herë nuk kemi probleme dhe mungesa si në ndeshjet e kaluara që kemi pasur. Jemi në kushte shumë të mira dhe jemi të qetë,” pranoi Colella para mediave.

Në këtë sezon Partizani ka një bilanc tejet pozitiv në derbi. ‘Demat’ kanë fituar dy prej tre sfidave, duke shënuar tre herë dhe pësuar dy gola.