Shefi i Sigurisë i Futbollit Çek vlerëson Policinë Shqiptare, i dërgon letër Ilir Prodës: Ndeshja Shqipëri-Çeki u zhvillua në kushte të shkëlqyera sigurie

Bashkëpunimi mes Federatës së Futbollit të Çekisë dhe Policisë së Shtetit Shqiptar për sigurimin e rendit gjatë ndeshjes Shqipëri-Çeki në Ligën e Kombeve është vlerësuar maksimalisht nga Shefi i Sigurisë i Federatës Çeke, Mgr. Jakub Schor.

Në një letër dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Schor ka falënderuar për angazhimin, profesionalizmin dhe mirëmenaxhimin e situatës nga autoritetet shqiptare.

“Në emër të Federatës së Futbollit të Republikës Çeke, ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer në sigurimin e rendit publik për ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Shqipërisë dhe Çekisë. Angazhimi dhe profesionalizmi juaj bënë të mundur zhvillimin e ndeshjes në një ambient të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit,” shkruan Schor në letrën drejtuar Prodës.

Ai vlerësoi gjithashtu punën e Policisë Rrugore, Policisë Kufitare dhe të DVP Tiranë për përpjekjet e tyre të jashtëzakonshme në garantimin e sigurisë dhe qetësisë për Kombëtaren Çeke dhe tifozët e saj.

Edhe pse ndeshja e parë në Pragë ishte zhvilluar në rrethana të tensionuara, Schor nënvizoi se përkushtimi dhe profesionalizmi i autoriteteve shqiptare e bënë këtë ndeshje të kalonte pa probleme.

Letra përmbyllet me një falënderim të veçantë për Policinë Shqiptare dhe angazhimin e saj në realizimin e një ndeshjeje të sigurt dhe të suksesshme.