Shefi i Antidrogës së Durrësit në pranga me urdhër të SPAK/ Nëpërmjet shantazhit i ka kërkuar 20 mijë euro pronarit të një lokali
Shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi është arrestuar me urdhër të SPAK dhe kërkesë të AMP, për shpërdorim detyre dhe Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ai ka rënë në pranga me urdhër të SPAK, pas një skemë gjobvënie ndaj një biznesmeni në qytetin bregdetar të Durrësit.
Gazmir Preçi ka shantazhuar pronarin e një klubi nate te Ura e Dajlanit se do t’i mbyllë biznesin dhe i ka kërkuar si gjobë 20 mijë euro. Duke shfytëzuar pozitën e tij drejtuese, shefi i Antidrogës në Durrës ka arritur që t’i marrë pronarit të lokalit në fazën e parë vetëm 10 mijë euro.
“Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke aplikuar metoda speciale, si rezultat i të cilave u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit”, njofton policia.