SHBA pezullon të gjitha vizat për këtë vend! Sekretari Rubio: Secili vend duhet të pranojë qytetarët e vet
Një zhvillim i papritur ka ardhur nga Departamenti i Shtetit Amerikan, i cili ka njoftuar heqjen e të gjitha vizave për shtetasit e Sudanit të Jugut, për shkak të mosbashkëpunimit të këtij vendi në riatdhesimin e qytetarëve të vet.
Lajmi u bë publik nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se masa hyn në fuqi menjëherë dhe përfshin revokimin e të gjitha vizave ekzistuese si dhe pezullimin e dhënies së vizave të reja për qytetarët e Sudanit të Jugut.
“Duke hyrë në fuqi menjëherë, Departamenti i Shtetit po ndërmerr veprime për të revokuar të gjitha vizat e mbajtura nga mbajtësit e pasaportave të Sudanit të Jugut dhe për të parandaluar lëshimin e mëtejshëm për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara,” deklaroi Rubio.
Sipas deklaratës zyrtare, arsyeja kryesore pas këtij vendimi është fakti që autoritetet e Sudanit të Jugut kanë refuzuar të pranojnë qytetarët e tyre, të cilët SHBA ka kërkuar t’i riatdhesojë.
“Çdo vend duhet të pranojë kthimin e qytetarëve të tij në kohën e duhur, kur një vend tjetër, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kërkon t’i largojë ata,” shtoi Rubio.
Sekretari theksoi se kjo politikë e rreptë e imigracionit është në përputhje me objektivat e administratës Trump për të forcuar kontrollin e kufijve dhe të sistemit të vizave.
Vendimi do të rishikohet vetëm në rast se Sudani i Jugut fillon të bashkëpunojë me kërkesat zyrtare të SHBA-së, për kthimin e shtetasve të tij.