SHBA pezullon fondet për Shqipërinë pas urdhrit të Trump, ambasada njofton institucionet
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar institucionet shqiptare për pezullimin e fondeve të mbështetjes, pas firmosjes së një urdhri ekzekutiv nga presidenti Donald Trump.
Në një letër drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ambasada ka bërë me dije se të gjitha programet e financuara nga SHBA do të ndalohen përkohësisht, deri në përfundimin e një rishikimi të ndihmës së huaj nga administrata amerikane.
“Partnerët dhe zbatuesit e programeve të ndihmës së financuar nga SHBA në Shqipëri janë njoftuar për këtë veprim,” thuhet në dokumentin e shpërndarë nga Ambasada, e cila kërkon që ky njoftim t’i përcillet të gjitha ministrive dhe institucioneve përfituese.
Kjo masë pritet të prekë një gamë të gjerë institucionesh, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Ministrinë e Drejtësisë, Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Gjykatat e të gjitha niveleve, si dhe sektorë të rëndësishëm si arsimi, energjia, mbrojtja dhe ekonomia.
Çfarë ndodh më tej?
Vendimi vjen në kuadër të një shqyrtimi të gjerë të programeve të ndihmës së huaj nga administrata amerikane, një praktikë e paralajmëruar nga Trump gjatë fushatës së tij. Pezullimi i fondeve mund të ketë pasoja të mëdha për reformat në drejtësi, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri.
Për momentin, nuk ka një afat të qartë se kur do të përfundojë ky rishikim dhe kur mund të rifillojë ndihma financiare nga SHBA.