SHBA mohon se Huthët sulmuan një luftanije të saj
Rebelët jemenas të Huthit thanë se kanë sulmuar një bazë mobile të Marinës amerikane më 29 janar, pa dhënë asnjë dëshmi. Megjithatë, ky pretendim i Huthëve është hedhur poshtë menjëherë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Huthët pretenduan se kanë sulmuar USS Lewis B. Puller, që shërben si një bazë lundruese për ushtrinë amerikane. Kjo luftanije më herët ishte stacionuar në Detin Arabik, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të frenuar sulmet e Huthëve ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha përmes një deklarate se rebelët gjuajtën raketa drejt anijes Puller në Gjirin e Adenit. Megjithatë, ai nuk ofroi dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.