SHBA kundër qeverisë ‘Kurti’, kritikon ashpër mbylljen e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës


Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”. “Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës.

Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”. Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit, ilegale”. Policia tha se janë konfiskuar “rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera”.

 

 

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç e cilësoi veprimin një “akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.

Ai tha se “Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”. Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.
Diplomatët i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore dhe në cilësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara./VOA