SHBA/ Gjyqtare arrestohet nga FBI për ndihmë ndaj një emigranti pa dokumente dhe pengim të agjentëve federalë

Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka arrestuar të premten gjyqtaren e Qarkut Milwaukee, Hannah Dugan, e cila akuzohet se ka ndihmuar një emigrant pa leje qëndrimi të shmangte arrestimin dhe ka penguar agjentët federalë në përmbushjen e detyrës së tyre.

Sipas drejtuesit të FBI-së, Kash Patel, gjyqtarja Dugan dyshohet se ka devijuar qëllimisht agjentët federalë nga vendndodhja e të dyshuarit, Eduardo Flores Ruiz, i cili ishte i pranishëm në gjykatën e saj.

Patel shkroi në rrjete sociale – përpara se postimi të fshihej – se veprimet e gjyqtares kanë rrezikuar publikun, ndërsa shtoi se pavarësisht pengesave, agjentët e FBI-së kanë arritur të ndjekin dhe të arrestojnë të kërkuarin. Eduardo Flores Ruiz ndodhet aktualisht në paraburgim.

Gjyqtarja Hannah Dugan po përballet me dy akuza penale: pengim të drejtësisë dhe ndihmë në fshehjen e një individi për t’i shpëtuar arrestimit. Ajo është vendosur në paraburgim federal dhe pritet të dalë para gjykatës në Distriktin Lindor të Wisconsin.

Zëdhënësi i Shërbimit të Marshalëve të SHBA-së, Brady McCarron, konfirmoi se Dugan u arrestua në orën 08:30 të mëngjesit të së premtes, në ambientet e gjykatës ku punon. Ajo është përpunuar nga autoritetet federale, ndërsa dokumentet zyrtare të urdhër-arrestit dhe kallëzimit penal nuk janë ende të disponueshme për publikun.