SHBA forcon sigurinë në kufirin me Meksikën! 4,500 trupa të Gardës Kombëtare angazhohen për kontrollin e fluksit të imigrantëve

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar ndjeshëm praninë ushtarake në kufirin jugor me Meksikën, duke dërguar 4,500 trupa të Gardës Kombëtare në kuadër të një operacioni të zgjeruar për të kontrolluar fluksin e imigrantëve.

Operacioni, i cili përfshin edhe misionin “Joint Task Force-North”, ka për qëllim mbështetjen e Patrullës Kufitare dhe Doganave të SHBA-së në kufirin e mbingarkuar. Aktualisht, rreth 2,200 forca aktive ndodhen në El Paso, Teksas, ku do të bashkëpunojnë me trupat e dërguara nga Garda Kombëtare në kuadër të “Operacionit Lonestar”.

Sipas Departamentit Ushtarak të Teksasit, trupat do të ndihmojnë në qendrat e komandës dhe kontrollit, operacionet ajrore dhe vlerësimin e flukseve të imigrantëve. Megjithatë, ato nuk janë të autorizuara për arrestime, përleshje apo sekuestrime droge, por do të ndihmojnë në transportimin dhe menaxhimin e imigrantëve që kalojnë kufirin.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar mundësinë e përdorimit të “Aktit të Kryengritjes” brenda 90 ditëve, një masë që do të lejonte përdorimin e trupave të armatosura për të ndaluar fluksin e emigrantëve. Në një deklaratë të fundit, Trump ka shprehur angazhimin e tij për të ulur numrin e imigrantëve që hyjnë në SHBA.

Sipas të dhënave, numri i emigrantëve që kalojnë kufirin jugor ka shënuar një rënie të lehtë, me rreth 1,100 deri në 1,300 imigrantë që përpiqen të kalojnë kufirin çdo ditë.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se masat e reja synojnë të ndalojnë imigracionin masiv dhe të sigurojnë kufirin përmes bashkëpunimit midis Patrullës Kufitare dhe Gardës Kombëtare. Ndërkohë, më shumë trupa pritet të vendosen në javët dhe muajt e ardhshëm për të forcuar më tej sigurinë.