SHBA dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur për burimet natyrore
SHBA-të kanë nënshkruar një marrëveshje me Ukrainën për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të saj të energjisë dhe mineraleve, pas muajsh negociatash të tensionuara.
Të dy vendet kanë rënë dakord të krijojnë një fond investimesh për rindërtim për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës nga lufta me Rusinë.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se kjo tregonte se të dyja palët ishin të përkushtuara për paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm në Ukrainë. Për Kievin, marrëveshja shihet si thelbësore për aksesin në ndihmën ushtarake amerikane.
Besohet se Ukraina ka rezerva të mëdha mineralesh si grafiti, titani dhe litiumi. Ato janë shumë të kërkuara për shkak të përdorimit të tyre në energjinë e rinovueshme, aplikimet ushtarake dhe infrastrukturën industriale.
Marrëveshja vjen në mes të një lufte tregtare të SHBA-së me Kinën, nga e cila burojnë 90% e rezervave aktuale të metaleve të rralla në botë.
Sekretari i thesarit amerikan tha në një deklaratë me video se marrëveshja do të ndihmonte në “zhbllokimin e aseteve të rritjes së Ukrainës”.
Ai i referohet “pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë” dhe shton se “asnjë shtet apo person që financoi ose furnizoi makinën ruse të luftës nuk do të lejohet të përfitojë nga rindërtimi i Ukrainës”. Kremlini ende nuk ka reaguar pas marrëveshjes.