Kombëtarja shqiptare ka nisur përgatitjet për duelin e parë kualifikues të Euro 2024 kundër Polonisë.
Një kundërshtarë tepër i fortë në letër, por që lojtarët kuqezi nuk i tremben aspak. Sulmuesi Sokol Cikalleshi pritet të jetë lideri i kësaj skuadre, ndikuar kjo edhe nga eksperienca dhe prezenca e gjatë e tij si kuqezi.
“Polonia është ekipi më i fortë në grup. Duke nisur dhe nga kualifikueset e kaluara në Portugali, shpresoj të kemi të njëjtën vazhdimësi. Nuk besoj se jam i vetëm në majën e sulmit. Duhet të bëjmë maksimumin si grup si ekip. Nëse marrim rezultat pozitiv në Poloni gjërat mund të thjeshtësohen disi. Pavarësisht se kush është kundërshtari në fushë futesh për të fituar ndeshjen. Plan B mund të jetë dhe barazimi. Unë nuk e kam menduar edhe me Francën ose Anglia, kemi shkuar për të fituar. Kemi tentuar më të mirën, pastaj të marrin gjysmën e të keqes. Do të shkojmë për të fituar ndeshjen dhe me grupin që kemi mendoj se mund të marrim një rezultat pozitiv.” tha mes të tjerash Cikalleshi.
Futbollisti me origjinë nga Maqedonia e Veriut, Jasir Asani shpreson që të marrë minuta ndaj polakëve, teksa pranon se golat nuk i ka shpenzuar te klubi ku aktivizohet në Korenë e Jugut.
“Jam shumë i lumtur sepse jam nga Maqedonia dhe çdo shqiptar nga Maqedonia e pret ftesën nga Kombëtarja shqiptare, sepse jemi shqiptar dhe do të japim më shumë se 200% nga vetja që ta pranojmë. Çdo futbollist e ka ëndërr që të luajë për Kombëtaren shqiptare. E kam pritur me shumë gëzim. Do të jap maksimumin tim që të marrim më të mirën” tha mes të tjerash Asani.
Përballja mes Polonisë dhe Shqipërisë luhet me 27 mars në Varshavë.