Aktualisht, jemi ende në periudhën e virozave, një sezon që sipas ekspertëve shtrihet nga nëntori deri në muajin shkurt. Nga Vlora, Skënder Brataj, drejtor i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, ka konfirmuar se momentalisht janë aktivë tre deri në katër viruse që qarkullojnë njëkohësisht.
Sipas Bratajt, kulmi i situatës gripale është arritur dhe tani vihet re një ulje e lehtë e rasteve, por gjithsesi gripi mbetet aktiv dhe kërkohet kujdes maksimal. Edhe pse disa vende mund të ndodhen në një periudhë epidemie, ai theksoi se nuk ka vend për panik, pasi kjo është një situatë e zakonshme që përsëritet çdo vit.
Vaksinimi mbetet thelbësor për grupet e rrezikuara.
Brataj ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e vaksinimit, veçanërisht për grupmoshat më të rrezikuara nga gripi, si të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Ai ka bërë thirrje për vigjilencë të vazhdueshme dhe respektimin e masave parandaluese.
Në nivel kombëtar, muaji janar ka shënuar një numër të lartë vizitash mjekësore për shkak të virozave të stinës. Edhe pse situata po përmirësohet, mjekët këshillojnë që qytetarët të vijojnë të tregojnë kujdes, pasi ende ndodhemi në periudhën e qarkullimit të viruseve.