Sesioni i ri parlamentar nis me ndryshimet në qeveri! Bardhi paralajmëron sërish kaos, Berisha i sheh nga shtëpia

Sesioni i ri parlamentar nis këtë pasdite në orën 17:00, kur do të mbahet dhe seanca e parë plenare për këtë vit të ri. Deputetët i kthehen punimeve të Kuvendit të Shqipërisë me një rregullore të re me përjashtim deri në 60 ditë, por pavarësisht kësaj grupi i Gazment Bardhit dhe deputetët e Berishës do të vijojnë me strategjinë e përpjekjeve për bllokimin e seancave. Ish-kryeministri Berisha nuk do të marrë pjesë për shkak se ndodhet në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’.

 

 

Seanca do të hapet nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ku pikë e parë e rendit të ditës është miratimi i dekreteve të presidentit për ndryshimet në kabinetin qeveritar, me shkarkimin e Elva Margaritit, si Ministre e Kulturës dhe Ervin Mete, si Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe emërimin e këtij të fundit si Ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja si Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Po ashtu edhe miratimi i dekretit për emërimin e Adea Pirdenit si ministre e shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin.

Ligjvënësit lanë pas një sesion mes kaosit, flakadanëve dhe disa nismave ligjore që presin 84 vota. Peng i bashkimit të kartonëve janë amnistia penale, rritja e pagave për “Kushtetuesen” dhe zgjedhja e avokatit të ri të popullit, por edhe Reforma Zgjedhore. PS i ka shtrirë dorën opozitës që të bashkojnë votat për amnistinë penale.

Nga mbledhja dyditore e qeverisë në Shëngjin, kryeministri Edi Rama tha hapur se mungesa e 84 votave nuk janë kusht për reformat dhe se socialistët do ta gjejnë një alternativë për të ligjet me shumicë të cilësuar.

Sa i takon skenarit të kaosit, kreu i qeverisë e bëri të qartë pak ditë me parë se edhe në këtë sesion të ri parlamentar tymueseve të opozitës do t’i përgjigjen me kartonët jeshilë, pra duke miratuar ligjet pa zhvilluar debate, ndërsa diskutimet do të zhvillohen në komisione në mbledhje online sa kohë sipas tij nga ana tjetër do të hidhen flakadanë dhe do të tentohen përleshje fizike.

Pritet që me largimin e Berishës nga karrigia e kuvendit, Lulzim Basha të kthehet në ulësen e tij teksa ka edhe 3 projektligje të depozituara, dhe roli i tij pritet të zbulohet në këtë sesion të ri parlamentar.

Në 3 muaj aksion në parlament, 29 deputetë të opozitës u përjashtuan. Më i ndëshkuari prej tyre rezulton Gazment Bardhi, ndërsa ndiqet nga Flamur Noka që rrezikon edhe përjashtimin 60 ditor për shkak të seancës së fundit të vitit të shkuar.