Sërish tensione, ushtria amerikane kryen sulm për t’u vetëmbrojtur ndaj dronëve të rebelëve Houthi

Ushtria amerikane njoftoi se të hënën forcat e saj kryen një sulm për t’u vetëmbrojtur kundër dy dronëve të rebelëve Huthi në Jemen. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara tha se dronët paraqisnin kërcënim për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon. Ndërkohë këtë të martë, u njoftua se dy anije që lundronin në ujërat e Lindjes së Mesme janë sulmuar nga rebelët Houthi.

Sulmi i parë ndodhi në perëndim të portit ‘Jemeni Hodeida’ ndërsa sulmi i dytë në qytetin port të Adenit.

Një zëdhënës i rebelëve Houthi pretendoi në një deklaratë se grupi kishte sulmuar dy anije, një amerikane dhe një britanike, në Detin e Kuq. Ai nuk dha asnjë provë për këto pretendime. Rebelët nuk morën përsipër sulmin në gjirin e Adenit.

Që prej muajit nëntor rebelët Houthi kanë kryer një sërë sulmesh që kanë patur si objektiv anijet në Detin e Kuq, si hakmarrje siç thotë grupi, ndaj sulmit të Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

Por grupi shpesh kanë patur si objektiv anije që nuk kanë patur qartësisht lidhje me Izraelin, duke vënë në rrezik transportin në një rrugë kyçe për tregtinë midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.

Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Britania, të mbështetura nga aleatët, kanë kryer sulme ajrore ndaj objekteve të rebelëve Houthi. Të shtunën, ata goditën 36 objektiva të rebelëve.

Të premten ushtria amerikane goditi dhjetra objektiva në Irak dhe Siri që përdoren nga grupet e mbështetura nga Irani dhe Garda Revolucionare iraniane.

Uashingtoni ndërmori këtë hap si kundërpërgjigje ndaj sulmit ndaj një baze ushtarake në Jordani, ku si pasojë u vranë 3 ushtarë amerikanë dhe u plagosën rreth 40 të tjerë./VOA