“Serbia po na tradhton”, Moska shpërthen ndaj Beogradit: Kompanitë serbe kanë furnizuar fshehurazi Ukrainën me armatime
rrëdhëniet mes Moskës dhe Beogradit kanë hyrë në një fazë tensioni pas akuzave të rënda të ngritura nga Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR), i cili pretendon se kompani serbe të mbrojtjes po furnizojnë fshehurazi Ukrainën me municione, duke shkelur neutralitetin e deklaruar nga Serbia.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të SVR-së, agjencia ruse thekson se firmat serbe kanë përdorur “certifikata të rreme të përdoruesit fundor” dhe rrugë të kamufluara përmes vendeve të NATO-s, si Polonia, Çekia dhe Bullgaria, por edhe përmes disa shteteve afrikane, për të dërguar armatime në Ukrainë. Në total, sipas inteligjencës ruse, rreth 100,000 raketa dhe predha, si dhe mbi një milion fishekë armësh të vogla, janë transferuar në këtë mënyrë drejt Kievit.
Përfshirë në këtë skemë dyshohet të jetë edhe kompania shtetërore serbe Yugoimport-SDPR, një nga emrat më të mëdhenj të industrisë së mbrojtjes në Serbi. “Dëshira për përfitime financiare nga gjakderdhja midis kombeve sllave i ka bërë këto kompani të harrojnë kush janë miqtë e tyre të vërtetë”, thuhet më tej në deklaratën e SVR-së, e titulluar në mënyrë domethënëse: “Industria Serbe e Mbrojtjes po përpiqet ta qëllojë Rusinë pas shpine”.
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas publikimit të akuzave, duke konfirmuar se në takimin e tij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, në maj, ishte diskutuar edhe çështja e eksporteve të municioneve. Ai theksoi se është ngritur një grup pune i përbashkët për të shqyrtuar faktet dhe pretendimet e ngritura nga SVR.
“Disa prej deklaratave që janë bërë nuk janë të vërteta”, u shpreh Vuçiç për transmetuesin shtetëror RTS. “Për shembull, flitet për një kontratë me Republikën Çeke, por nuk është lëshuar asnjë leje dhe nuk janë dorëzuar raketa. Nëse ka dyshime për abuzime me politikën e përdoruesit fundor, do të kërkoj që të informohemi menjëherë.”
Vuçiç ka theksuar gjithashtu se Serbia ruan “marrëdhënie të mira” me të dyja palët në konflikt, si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, duke përsëritur qëndrimin e neutralitetit që Beogradi ka mbajtur që prej shpërthimit të luftës.