“Serbia, dorë e Rusisë” – Osmani shmang Trump pas reagimit të Grenell: S’ka tensione, ka agresion ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vijuar me akuzat e forta ndaj Serbisë, duke e cilësuar si një “dorë e zgjatur e përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”, por kësaj here ka shmangur përsëritjen e deklaratës së bujshme për rolin e Donald Trump në ndalimin e një përshkallëzimi të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga Riga, Letoni, ku po zhvillon një vizitë zyrtare dhe është takuar me presidentin leton Edgars Rinkeviç, Osmani mohoi nocionin e “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, duke e paraqitur situatën si agresion nga njëra palë dhe vetëmbrojtje nga pala kosovare.
“Unë nuk do t’i quaja tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne përpiqemi të mos biem në kurthin e barazimit të të dyja palëve. Ne nuk duhet t’i fusim kurrë në të njëjtin thes agresorin dhe viktimën. Serbia përpiqet vazhdimisht ta destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht duhet të mbrohemi. Asnjëherë nuk kemi sulmuar apo pushtuar asnjë centimetër të territorit të ndonjë fqinji. Ajo çfarë kemi bërë gjithmonë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë”, u shpreh Osmani.
Por ajo që ra në sy ishte mungesa e një përmendjeje të drejtpërdrejtë të ish-presidentit amerikan Donald Trump, të cilin pak ditë më parë në një fjalim në Washington, Osmani e kishte lartësuar si faktor kyç në shmangien e një përshkallëzimi të situatës së sigurisë në rajon. Ajo tha se kishte “informacione shumë të besueshme” që Trump kishte parandaluar një zhvillim shumë të vonë, “shumë, shumë të rrezikshëm” mes Kosovës dhe Serbisë.
Deklarata shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i Trump për negociatat Kosovë–Serbi gjatë mandatit të tij, i cili e akuzoi Osmanin për keqinterpretim dhe manipulim të fjalëve të Trump.
Grenell e cilësoi deklaratën si politikisht të motivuar dhe kërkoi sqarime për atë që ai e quajti “shtrembërim të së vërtetës” në lidhje me rolin e Trump në rajon.