Senati konfirmon Kash Patelin si drejtor të FBI-së, dy senatore republikane votojnë kundër

Senati amerikan ka konfirmuar Kash Patelin si drejtor të ri të FBI-së me një rezultat të ngushtë prej 51 votash pro dhe 49 kundër. Pavarësisht mbështetjes së shumicës republikane, dy senatore të këtij kampi, Susan Collins nga Maine dhe Lisa Murkowski nga Alaska, u bashkuan me demokratët duke votuar kundër emërimit të tij.

Senatorja Susan Collins kishte paralajmëruar më herët se nuk do ta mbështeste Patelin, duke shprehur shqetësimin se ai ishte “shumë politik” për të drejtuar një institucion që kërkon paanshmëri. “Ndërsa unë mbështes fuqimisht përpjekjet për të siguruar që të gjithë punonjësit federalë të veprojnë në mënyrë etike dhe në përputhje me ligjin, profili i fundit politik i zotit Patel minon aftësinë e tij për të shërbyer në këtë rol apolitik,” theksoi ajo në një deklaratë para votimit.

Nga ana tjetër, senatorja Lisa Murkowski gjithashtu shprehu shqetësime mbi aktivitetet e mëparshme politike të Patelit. Ajo paralajmëroi kundër përdorimit të FBI-së për “zgjidhjen e hesapeve politike” dhe shtoi: “Unë me të vërtetë shpresoj që ai të më dëshmojë se kam gabuar në lidhje me rezervat që kam ndaj tij sot.”

Konfirmimi i Kash Patelit konsiderohet një vendim me ndikim të madh, pasi ai do të marrë drejtimin e një institucioni kritik për sigurinë kombëtare dhe zbatimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara.