Senati dhe Dhoma e Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë

Senati dhe Dhoma e Deputetëve në Itali kanë miratuar marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse.

Hapi i fundit mbetet votiminë seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë.Marrëveshja është nënshkruar që në shkurt të këtij viti, midis ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe atij të Italisë.

Pas miratimit, kjo marrëveshje do të bëhet realitet dhe do të zbatohet për pensionet e pleqërisë, invaliditetit, atë familjar, si dhe për sigurimin nga sëmundjet, barrëlindja dhe papunësia.Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali.

Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve.Ky dakordësim bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet.

“Bashkimi i periudhave Për qëllimet e fitimit, ruajtjes ose rikuperimit të së drejtës për përfitime në para, të parashikuara nga kjo Marrëveshje, periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, të plotësuara sipas legjislacionit të njërit shtet kontraktues, bashkohen, nëse është e nevojshme, me periudhat e sigurimit ose ato të barasvlershme me to, sipas ligjeve të shtetit tjetër kontraktues, me kusht që ato të mos mbivendosen”, parashikohet në ligjin e në Fletoren Zyrtare.

Më konkretisht, një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje. Qeveria italiane ka parashikuar një fond prej 136 milionë eurosh për zbatimin e njohjes së pensioneve deri në vitin 2032. Ndërkohë, pritet që Shqipëria të finalizojë një marrëveshje të njëjtë edhe me shumë shtete të tjera ku ka prani të emigrantëve shqiptarë.