Selenicë/ Mbetjet e ndërtimit dhe ato urbane pushtojnë shtratin e lumit Shushicë
Lumi Shushicë, një nga degët kryesore të Vjosës dhe një burim i rëndësishëm natyror në jug të Shqipërisë, po përballet me ndotje alarmante pranë urës së fshatit Kotë. Plastika, mbetje ndërtimi dhe mbeturina urbane janë shpërndarë kaotikisht përgjatë shtratit të tij, duke e kthyer lumin në një depozitë të hapur mbeturinash.
Kjo situatë kërcënon biodiversitetin e lumit dhe përbën një rrezik të madh për shëndetin e komuniteteve lokale, të cilat shpesh varen nga ky burim ujor për bujqësi dhe nevoja të tjera. Për më tepër, mungesa e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve dhe indiferenca e institucioneve kanë bërë që ndotja të përkeqësohet, duke i zhbërë përpjekjet sporadike të pastrimit .
Lumi Shushicë, me një gjatësi prej rreth 81.6 kilometra dhe një pellg ujëmbledhës prej 715 kilometra katrorë, ka qenë prej kohësh një simbol i pasurisë natyrore të rajonit. Megjithatë, në mungesë të një plani konkret për mbrojtjen e tij, kjo pasuri është në prag të shndërrimit në një burim ndotjeje të përhershme.
Përgjegjësinë kryesore për trajtimin e situatës e mban Bashkia Selenicë, e cila duhet të ndërmarrë masa urgjente për menaxhimin e mbetjeve dhe pastrimin e lumit. Pa një reagim konkret dhe të koordinuar nga autoritetet vendore, ky lumë rrezikon të humbasë vlerat e tij natyrore dhe ekologjike nën indiferencën e vazhdueshme.
View this post on Instagram