Sekuestrohen pronat e Valter Begajt, administratori i “Daam shpk”, që SPAK thotë se i përket Evis Berberit.
Valter Begaj, është biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, dhe është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime kryesisht në kuadër të procedimit penal Nr. 214, të vitit 2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258, 244-25, 259, 287/2 të Kodit Penal.
Në vijim të njoftimeve të mëparshme, për faktin penal të rezultuar dhe personat e dyshuar (njoftim i datës 14.03.2024), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.164, datë 18.03.2024, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
2. Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e mëposhtme:
· Kuotat e shoqërisë “DAAM” sh.p.k., me ortak personin nën hetim V. B. dhe administrator personin nën hetim E. L;· Pasurinë e paluajtshme Nr.80/2, e llojit “arë”, me sipërfaqe 25,100 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.
· Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë” me sipërfaqe 1,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
· Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 1,080 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
· Pasurinë e paluajtshme e llojit “arë”, me sipërfaqe 2,055 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
· Pasurinë e paluajtshme me sipërfaqe 5,000 m2, me adresë Mangull, Tiranë, vetëm mbi pjesën takuese të shoqërisë “DAAM” sh.p.k.;
• Automjetin e markës “SKODA”, modeli “FABIA”, viti i prodhimit 2019;· Automjetin e markës “JEEP”, modeli “COMPASS”, viti i prodhimit 2011;
· Automjetin e markës “BMW”, modeli “X3”, viti i prodhimit 2004;
· Automjetin e markës “FORD”, modeli “KUGA”, viti i prodhimit 2011;· Motomjetin e markës “DAYANG”, modeli “DY125T-32”, viti i prodhimit 2022;
· Automjetin e markës “KIA”, modeli “SELTOS”, viti i prodhimit 2020;
· Automjetin e markës “HYUNDAI”, modeli “AVANTE”, viti i prodhimit 2020;
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kush është Valter Begaj, ortaku dhe biznesmeni që pastronte paratë e Evis Berberit të ARRSH-së?
Valter Begaj, biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së.
Njohjet mes Berberit dhe Begajt janë shumë të hershme, përpara se drejtori i ARRSH-së të merrte detyra në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës. Me marrjen e kësaj detyre, ai shiti aksionet e kompanisë DAAM te shtetasi Valter Begaj, për vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa i kishte blerë për vetëm 800 euro.Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit.
Më pas këto të ardhura dërgoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas SPAK vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve.
Çfarë thuhet në dosjen e SPAKNga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.Kurse gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “D….”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me TVSH.