Sekuestrohen pasuritë e Sokrat Carit, 3 vite pas vdekjes! Truall, vila dhe biznese në emër të familjarëve

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që rezultojnë të zotëruara nga familjarët e Sokrat Carit, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2022.

Sokrat Cari, i dënuar më parë për veprat penale “Moskallëzim të krimit,” “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike,” akuzohet se ka përfituar këto pasuri përmes veprimtarisë kriminale.

Në kuadër të hetimeve, Prokuroria konstatoi se Cari dhe familjarët e tij nuk kanë pasur burime të justifikuara financiare për krijimin e pasurive të regjistruara në emrat e tyre deri në vitin 2005. Pasuritë e sekuestruara dyshohet se janë krijuar përmes aktivitetit kriminal të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Sipas vendimit të gjykatës, pasuritë e sekuestruara përfshijnë:

•Një godinë banimi dhe shërbimi 4-katëshe (156.2 m² ndërtim, 388.6 m² total) në Rrugën “Besim Imami,” vila nr. 34.

•Njësi shërbimi (95.1 m²) në Rrugën “Zhan D’Ark,” godina 10, kati përdhe, Tiranë.

•Një automjet kamionçinë, blerë në vitin 2005 sipas Deklaratës Doganore.

Dënimet e mëparshme të Carit

Cari është shpallur fajtor në vitin 2007 për “Falsifikim të dokumenteve” dhe në vitin 2011 për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “Moskallëzim të krimit.” Ai ka vuajtur dënime për këto vepra penale.

Sekuestrimi i pasurive u bazua në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë,” i cili synon goditjen e të ardhurave të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Ky vendim është një tjetër hap në përpjekjet e autoriteteve shqiptare për të goditur pasuritë e krijuara nga veprimtaritë kriminale.