Sekuestrohen pasuritë e Paris Prengës dhe familjarëve – i dënuar me 19 vite burg për atentatin ndaj Artion Bylykut

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, janë sekuestruar pasuritë e Paris Prengës, i dënuar me 19 vite burg për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

Hetimet e nisura mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit zbuluan se Prenga ka një nivel të pajustifikuar ekonomik, ndërsa dyshohet se pasuritë e tij dhe të afërmve janë përfituar nga veprimtaria kriminale.

Në kuadër të hetimit pasuror nr. 05/P, datë 02.07.2025, janë sekuestruar:

-Një apartament me sipërfaqe 97.7 m² në zonën kadastrale 8130;

-Një garazh me sipërfaqe 18.95 m² në të njëjtën zonë;

-Një njësi tregtare me sipërfaqe 256.1 m² në zonën kadastrale 8370;

-Subjekti privat “Auto Art Service”.

Paris Prenga është i dënuar për atentatin ndaj Artion Bylykut, kunati i Domart Konjarit, një emër i njohur në botën e krimit, i cili ka qenë kundërshtar i Devi Kasmit – ky i fundit u ekzekutua në janar të vitit 2018.