Sekuestrohen ora dhe telefona të kontrabanduara në Sarandë, vihet në pranga 61-vjeçari

Një 61-vjeçar është vënë në prangat e policisë pasi u kap duke kontrabanduar ora dhe bizhu të ndryshme.

Policia ka sekuestruar 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.

Njoftimi i policisë:

U kap në flagrancë duke shitur celularë dhe aksesorë të kontrabanduar, arrestohet 61-vjeçari.

Sekuestrohen 134 celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme, me vlerë rreth 20 000 euro.

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e kontrabandës së mallrave, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Vlorë ka goditur një rast të shitjes së mallrave të kontrabanduara. Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi:

B. Ç., 61 vjeç, banues në Finiq, për veprat penale “Tregtimi i mallrave kontrabandë”, “Ruajtja e mallrave kontrabandë”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”.

Ky shtetas u kap në lagjen nr. 2, Sarandë, duke shitur celularë dhe aksesorë të ndryshëm, të dyshuar të kontrabanduar.

Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi 134 aparatë celularë, mbi 350 aksesorë celularësh dhe ora dore të markave të ndryshme.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.