Sekuestrohen mbi 8 milionë euro pasuri të dy personave, akuzohen për mashtrim masiv qytetarësh në Berat dhe qytete të tjera
Prokuroria e Beratit ka njoftuar se janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 8 milionë euro nga dy persona të dyshuar për mashtrim masiv. Shtetasit me inicialet A.L. dhe A.Ç. akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha parash duke mashtruar dhjetëra qytetarë në Berat dhe qytete të tjera të vendit.
Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Beratit ka miratuar sekuestrimin e llogarive bankare dhe pasurive të paluajtshme të të akuzuarve. Pasuritë e sekuestruara përfshijnë:
•668,290,299.4 lekë;
•1,110,392.37 euro;
•224,470.28 dollarë amerikanë;
•Dhjetë pasuri të paluajtshme në qytetet Tiranë, Vlorë dhe Berat.
Sekuestrimi është realizuar në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Korrupsionit dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasit A.L. dhe A.Ç. dyshohen se kanë bashkëpunuar për të mashtruar persona të ndryshëm, duke përfituar shuma të mëdha monetare në lekë dhe valutë të huaj. Hetimet janë fokusuar në procedimin penal nr. 523 të vitit 2024, ndërsa janë siguruar prova shkresore që mbështesin dyshimet mbi përfshirjen e tyre në veprën penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga neni 143/2/3 i Kodit Penal.
Autoritetet kanë deklaruar se hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse ka të përfshirë persona të tjerë në këtë skemë mashtrimi dhe për të siguruar prova të mëtejshme. Sekuestrimi i pasurive ka për qëllim garantimin e kompensimit të viktimave dhe ndalimin e përdorimit të këtyre pasurive për aktivitete të tjera të paligjshme.