Sekuestrohen euro të falsifikuara, para dhe një automjet, dy të arrestuar në Vlorë

Vijojnë kontrollet dhe puna e inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor. Goditet një rast i përdorimit të kartëmonedhave të falsifikuara. Sekuestrohen 2500 euro të dyshuara të falsifikuara, 120 400 lekë, 1 automjet dhe 4 celularë.

Identifikohen, kapen dhe arrestohen 2 shtetasit që posedonin kartëmonedhat euro të falsifikuara, të cilët dyshohet se i përdornin ato për të blerë në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës.

Procedohet penalisht dhe një shtetas tjetër që kishte djeni për veprimtarinë kriminale të 2 të arrestuarve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se dy shtetas dispononin kartëmonedha të falsifikuara dhe po i përdornin në disa subjekte të ndryshme në qytetin e Vlorës, organizuan punën në bashkëpunim me shërbimet e Forcën së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, për të blerë produkte në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u refruan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. V., 21 vjeç, pasi dyshohet se kishte djeni për veprimtarinë kriminale të 2 shtetasve tashmë të arrestuar.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 2500 euro të dyshuara të falsifikuara, 120 400 lekë, 1 automjet tip “BMW” dhe 4 celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.