Sekuestrohen drogë, armë, municion dhe dokumente të falsifikuara! Arrestohet 21-vjeçari, procedohet edhe një 40-vjeçar
Një sasi e konsiderueshme droge, një armë zjarri me numër serial të fshirë, municion luftarak dhe dokumente të dyshuara të falsifikuara janë sekuestruar në Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mix”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës.
Në pranga ka rënë Sentiljano Selami, 21 vjeç, banues në fshatin Kullë të Manzës, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë shtetasi Rr. K., 40 vjeç, banues në të njëjtën zonë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni është zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që dyshohej se shpërndante lëndë narkotike dhe posedonte armë zjarri.
Gjatë kontrollit të automjetit të përdorur nga Selami, rezultoi se i riu po drejtonte pa leje drejtimi. Ndërkohë, në çantën e bashkëudhëtarit të tij 40-vjeçar u gjet një thikë. Situata alarmante u përforcua më tej gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 21-vjeçarit, ku u sekuestruan:
-25 doza kokainë,
-50 doza kanabis,
-1 armë zjarri pistoletë me numër serial të pjesshëm të fshirë,
-100 fishekë luftarak,
-1 pasaportë biometrike në emër të një shtetasi tjetër dhe
-3 telefona celularë.