Sekuestrohen 500,000 euro te AlbaCredits, 72-vjeçarja procedohet për fajde
Policia ka sekuestruar rreth 500,000 euro të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale në një exchange me emrin AlbaCredits, ku kryhej dhënia e parave me fajde jashtë sistemit bankar.
Pronarja e subjektit, 72-vjeçarja Ermira Korca, është proceduar penalisht për mosdeklarim të shumave të parave që depozitoheshin në subjektin e saj dhe përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, një praktikë e paligjshme dhe shqetësuese për ekonominë, që mund të rëndojë qytetarët me borxhe të paqëndrueshme dhe pa mbrojtje ligjore.
Fajdet janë një fenomen i dëmshëm që krijon një rreth të keq borxhi dhe rrit rrezikun për abuzime financiare.
Ermira Korca është proceduar në gjendje të lirë, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Njoftim i policise:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hidden Funds”.
Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit.
Sekuestrohen rreth 500 000 euro , të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe.
Në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.