Sekuestrimi i 670 mijë litrave naftë kontrabandë nga Tunizia, Gjykata e Durrësit vendos masat për arrestimin e të dyshuarve
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka vendosur masat për personat e arrestuar në lidhje me sekuestrimin e 670 mijë litrave naftë kontrabandë, që po transportoheshin nga Tunizia për në Shqipëri. Dy anijet e huaja që mbante ngarkesën e paligjshme u kapën në portin e Durrësit, ku në balastra (dhoma që mbushen me ujë për balancimin e anijeve) u gjet sasia e madhe e naftës.
Pas një seance gjyqësore disa orëshe, gjykata vendosi të lërë në masën e sigurimit “arrest me burg” kapitenët e anijeve Mohammed Salli dhe M. Khalila, ndërsa pjesëtarët e tjerë të ekuipazheve morën masën “ndalim dalje jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”.
Operacionet e policisë, të koduara “Ari i Zi” dhe “Ari i Zi 2”, çuan në arrestimin e 12 shtetasve të huaj, ndërsa shumë të tjerë janë në kërkim. Dy anijet e sekuestruara janë dërguar dhe mbahen nën ruajtje në portin e Porto Romanos në Durrës.