Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka marrë përkohësisht drejtimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa Departamenti i Shtetit ka njoftuar se po shqyrtohet një riorganizim i mundshëm i saj.
Rubio konfirmoi lajmin gjatë një vizite në El Salvador, ku deklaroi se ai ka deleguar përkohësisht autoritetin e administratorit të USAID-it, pa zbuluar emrin e personit që do të mbikëqyrë punën e përditshme të agjencisë.
“Ka shumë funksione të USAID-it që do të vazhdojnë, por ato duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane,” tha Rubio. Sipas tij, USAID ka funksionuar për një kohë të gjatë si një organizatë bamirëse globale, duke u larguar nga misioni i saj origjinal për të avancuar interesat e SHBA-së jashtë vendit. “Çdo dollar i shpenzuar dhe çdo program i financuar duhet të jetë në përputhje me interesat kombëtare të SHBA-së,” shtoi ai.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se USAID është “larguar nga misioni i saj origjinal”, duke argumentuar se një pjesë e madhe e fondeve të agjencisë nuk është më në përputhje me interesat strategjike të SHBA-së.
“Sekretari Rubio ka njoftuar Kongresin se po kryhet një rishikim i ndihmës së huaj me qëllim një riorganizimi të mundshëm të USAID-it,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Ky veprim vjen në një moment kur administrata e re amerikane po shqyrton ndryshime të rëndësishme në politikat e ndihmës ndërkombëtare, duke synuar që fondet të shpenzohen në projekte që përputhen më drejtpërdrejt me prioritetet kombëtare të SHBA-së.