Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për marrëveshjen Shqipëri-Kosovë-Kroaci: Aleatët vendosin në mënyrë individuale
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se nuk do të komentojë mbi marrëveshjen e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, duke theksuar se vendimet për bashkëpunime të tilla i takojnë individualisht vendeve aleate.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Rutte tha se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mbetet një prioritet i NATO-s, ndaj Aleanca vijon praninë e saj në Kosovë përmes forcave të KFOR-it. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit midis pesë aleatëve të NATO-s në rajon – Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kroacisë dhe Sllovenisë – për të ruajtur sigurinë.
Rutte gjithashtu kërkoi që autorët e sulmit në Banjskë dhe ata që sulmuan pjesëtarët e KFOR-it në veri të Kosovës në vitin 2023 të përballen me drejtësinë, duke theksuar se kjo është përgjegjësi e autoriteteve serbe.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s u shpreh se situata e sigurisë në Kosovë po monitorohet nga Aleanca që nga viti 1999 dhe se, pavarësisht përmirësimeve, duhet të vijojnë përpjekjet për të ruajtur stabilitetin. Ai bëri të ditur se për këto çështje ka diskutuar edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si në biseda telefonike, ashtu edhe gjatë takimeve në Bruksel.