Sekretari i Ligës Botërore të Islamit: Bota të ndjekë shembullin e Shqipërisë për tolerancën dhe bashkëjetesën fetare
Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Botërore të Islamit, Muhamed Bin Abdulkerim El-Isa, mori pjesë në faljen e namazit të Fitër Bajramit në sheshin Skënderbej në Tiranë. Në një deklaratë për mediat, ai vlerësoi vlerat e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare që karakterizojnë Shqipërinë, duke theksuar se ky shembull duhet të ndiqet nga e gjithë bota.
El-Isa theksoi se, në një kohë kur konflikte të ndryshme, kulturore, politike dhe të tjera, bota ka nevojë të ndjekë shembullin e shoqërisë shqiptare përmes vlerave të saj të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare.
Ai shprehu mirënjohje për përpjekjet e Shqipërisë në ruajtjen e harmoniws mes grupeve fetare dhe theksoi se ky është një shembull që duhet të pasqyrohet në mbarë botën për të siguruar paqen dhe bashkëjetesën mes popujve të ndryshëm.
Deklarata e plote
Jam i lumtur që jam sot këtu me besimtarët myslimanë shqiptarë, për të ndarë gëzimin e Fitër Bajramit me të gjithë ju. Që arrita të ndaj me bashkëbesimtarët e mi mesazhet dhe faljen e namazit Fitër Bajramit. Ajo që desha të ndaja me ju dhe bashkëbesimtarët e mi, është rikujtimi i diçkaje që bota e di shumë mirë. Rikujtimi i faktit se shoqëria shqiptare, se populli shqiptar, ndan apo jeton një tolerancë dhe bashkëjetesë fetare që është për t’u lavdëruar në mbarë botën. Këto burojnë nga vlerat, nga morali që ky popull ka manifestuar brez pas brezi dhe ka arritur t’i përçojë edhe te brezat e sotshëm.
Ta dini që gjithashtu udhëheqja që keni, përsa i përket vlerave dhe shumllojshmërisë, bashkëjetesës fetare, është udhëheqje pothuajse e përkryer, e mrekullueshme, që ofron maksimumin e shërbimit të saj, që këto vlera të transmetohen, promovohen dhe konservohen te brezat e rinj.