Sekretari i Jashtëm britanik, Cameron më 22 maj në Tiranë! Takim me Ramën, Begajn e Hasanin

TIRANË– Pavarësisht masave të marra për frenimin e emigracionit të paligjshëm nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, për qeverinë atje prurjet e paligjshme nga vendi ynë vazhdojnë të mbeten shqetësim.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se sekretari i Jashtëm i Britanisë David Camerun do të vijë vizitojë Shqipërinë në datë 22 maj, ku pritet të takojë Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe Ministrin e Jashtëm Igli Hasani me fokus emigracionin e paligjshëm dhe goditjen e grupeve kriminale.

Kjo vizitë vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik më 10 maj, ku në fokus ka qenë pikërisht trajtimi dhe zgjidhja e problematikës së emigrantëve të paligjshëm.

Tabloidi britanik ‘The Sun’ shkruan se Camerun do të vijë në Shqipëri për të prezantuar një program të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe për të njoftuar një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.

Nga ana tjetër edhe vetë kryeministri britanik Rishi Sunak do të udhëtojë drejt Vjenës ku do të takohet me kancelarin austriak Karl Nehammer për të diskutuar rreth masave më të ashpra për frenimin e emigracionit të paligjshëm dhe mbrojtjen e kufijve të Europës.

Qeveria shqiptare dhe ajo britanike janë angazhuar që në dhjetor të vitit 2022 përmes një marrveshje për luftën e përbashkët kundër emigracionit të paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, pasi një numër të madh të emigrantëve e zinin shqiptarët që kalonin ilegalisht përmes kanalit të La Manshit.

Një nga masat e marra të qeverisë britanike ishte dërgimi i mijëra emigrantëve që hynin në Britaninë e Madhe në Ruandë për të frenuar kalimet e paligjshme, anulimin e të cilit Kryeministri Rishi Sunak e ka cilësuar si një rrezik për Britaninë e Madhe.

Një marrëveshje të ngjashme ka miratuar edhe Italia me Shqipërinë, për strehimin e përkohshëm në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës, të refugjatëve që vijnë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme e që synojnë kalimin në Itali dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Marrëveshje e cila kryeministri Rama ka deklaruar se nuk do të përsëritet me asnjë vend tjetër veç Italisë fqinje.