Seancë plenare për veriun e Kosovës/ Konferenca e Kryetarëve merr vendim: Ja kur do të mbahet

Kuvendi do të mbajë një seancë të Posaçme më 12 tetor, për të diskutuar atë çka ndodhi dhe çfarë po ndodh në veri të Kosovës. Vendimi u mor në Konferencen e kryetareve ku politika Shqiptare hyri e ndarë, jo në dy pjesë, po në 3 pjesë sepse opozita ka dy pretendime të ndryshme.

PS ka propozuar një rezolutë që e quan atë që ndodhi në Kosovë një “akt terrorist” dhe kërkon njëkohësisht që KFOR të shtojë prezencën në veri dhe të dënojë përgjegjësinë e Serbisë.

PD e Gazmend Bardhit ka propozuar një rezolutë tjetër, që për PS është një kopje e asaj rezolute që Kuvendi i Kosovës ka miratuar pak ditë më parë.

Dhe socialistët thonë që Shqipëria që është një vend anëtar i NATO-s dhe që ka një progres tjetër në BE, nuk duhet të shprehet me të njëjtën gjuhë si Kosova dhe kërkohet që të unifikohet në një rezolutë të përbashkët.

Ndërkohë që Lulzim Basha, që është pjesa e tretë, kërkon një interpelancë me kryeministrin Rama, pasi e cilëson si një shërbim ndaj Serbisë kërkesën e Ramës që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës, deklaratë kjo që është zbutur nga Rama.

Konferenca e Kryetarëve është një tjetër vend ku reflektohet kriza e PD dhe sherri mes Bashës dhe Bardhit për drejtimin e grupit parlamentar demokrat dhe pikërisht ky sherr ende i pazgjidhur dhe rezervimi i PS për të mos thënë qartë se kë njeh si kryetar të Grupit Parlamentar të PD, ka lënë pezull çështjen e avokatit të popullit dhe reformën zgjedhore.

Këto dy çështje janë një shqetësim edhe i ndërkombëtarëve në Tiranë.