Seanca në GJKKO për Bardh Spahinë, dëshmon kallëzuesi: U largova në shkelje të ligjit, nuk më lejuan të hyja në institucion!

Në vijim të procesit penal ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, sot është zhvilluar një tjetër seancë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku dëshmoi Mark Molla, ish-administrator i Ujësjellësit Shkodër dhe njëkohësisht kallëzuesi i çështjes.

Në dëshminë e tij para trupës gjykuese, Molla akuzoi Spahinë për largim të paligjshëm nga detyra, duke pohuar se ky veprim u krye në shkelje të tre vendimeve gjyqësore që konfirmonin të drejtën e tij për të qëndruar në post.

“Kam qenë në detyrë kur në maj 2022 mora një urdhër largimi me postë. Nuk kam qenë i ftuar asnjëherë në ndonjë mbledhje të asamblesë për këtë çështje”, deklaroi Molla. Ai theksoi se vendimet e marra nga Spahia për shkarkimin e tij nuk janë njohur nga gjykatat, por gjithsesi janë zbatuar në mënyrë të njëanshme nga bashkia.

Sipas tij, pas urdhrit të tretë për largim, një përfaqësues i Bashkisë i kërkoi të lironte zyrën, por ai refuzoi, duke këmbëngulur për një vendim gjyqësor që e detyronte ta bënte këtë. Molla tregoi se më pas ndërtesa e ujësjellësit u rrethua nga policia dhe zyra e tij u thye nga një komision, i cili, sipas tij, ishte miratuar vetëm një ditë pas ndërhyrjes fizike në zyrë.

Ai e cilësoi ngjarjen si një shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të tij si administrator i emëruar në bazë të ligjit dhe i mbrojtur nga vendime të formës së prerë.

“Nga 320 punonjës që kishte ndërmarrja, Spahia urdhëroi që vetëm 62 prej tyre të kishin akses në institucion. Edhe unë, si administrator ligjor, nuk u lejova të hyj”, deklaroi Molla.