Seanca ndaj Berishës dhe Malltezit në GJKKO, dhëndri i kreut të PD: Është gjueti shtrigash
Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nis sot në orën 10:00 seanca e parë në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Të pandehur në këtë proces janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe djëndri i tij, Jamarbër Malltezi, për akuzat e “korrupsionit” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Çështja lidhet me privatizimin e një sipërfaqeje toke në zonën e kompleksit “Partizani” në Tiranë, proces që ka qenë subjekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) përmes një vepre hetimore të gjatë.
Para seancës, Jamarbër Malltezi ka reaguar për mediat duke e cilësuar procesin si politik dhe të pabazë. Ai deklaroi se toka është pronë e pesë familjeve për më shumë se 100 vjet, jo pronë e shtetit, duke theksuar mungesën e dokumentacionit shtetëror për shpronësim.
Për më tepër, Malltezi tha se kjo “është një gjueti shtrigash, qesharake” dhe se zhvillimi i pronës është shoqëruar me pagesë taksash, ndërsa shteti nuk ka dhënë leje të tilla për miqtë e kryeministrit Edi Rama. Ai akuzoi mazhorancën për dhunë ndaj banorëve informale dhe favorizim ndaj interesave strategjike.
“Kjo është një gjueti shtrigash, qesharake, sepse gënjyen dhe thanë që toka ishte e shpronësuar, por doli që toka është e pronarëve. Nuk ka asnjë letër sesi u bë shteti pronar. Ndërkohë që është dokumenti që prej 100 vitesh ajo është tokë e këtyre 5 familjeve.
Sa i përket tokës, vlerave dhe anti vlerave. Vlerat janë tek pronarët privatë, ata që kanë tokët prej 100 vitesh. Anitvlerat janë tek strategjikët e Edi Ramës, ai që vjedh tokat publike dhe private dhe ja jep miqve të tij sipas interesit. Nga zhvillimi i pronës ne kemi paguar taksa, kurse Rama ja jep pa taksa. Nga zhvillimi i pronës ne kemi sistemuar mbi 42 familje informale, ndërsa Rama i përzen me dhunë dhe polici. Nga zhvillimi i pronës ne kemi bërë kopsht dhe çerdhe për banorët. Asnjë nga këto bën Rama.”, tha Malltezi.
Malltezi konfirmoi se do të përballojë çështjen në gjykatë, por e cilësoi atë si një çështje pa bazë penale. Ai dhe Sali Berisha kanë deklaruar më parë se ndodhen përballë një sulmi politik dhe përndjekjeje nga pushteti aktual.