Ish-finalistja e Big Brother VIP Kosova 3, Xheneta Fetahu, ka folur për herë të parë për raportin me Gjestin, i cili aktualisht ndodhet në shtëpinë e Big Brother Albania VIP. Në një intervistë në emisionin “Kosova Today”, modelja zbuloi detaje mbi marrëdhënien e tyre dhe zhgënjimin që ka përjetuar.
Xheneta theksoi se nuk ka ndërmend të hyjë në Big Brother Albania për t’u përballur me të. Ajo e konsideron kapitull të mbyllur lidhjen e tyre, duke shtuar se nuk i beson më atij.
“Gjesti më bëri të ndihesha mirë në fillim, më largoi gjithë stresin. Por më vonë, sjelljet e tij filluan të më bezdisnin. Kam luftuar shumë me ndjenjat e mia, sepse nuk doja të dukesha thjesht si e dashura e dikujt,” tha Xheneta.
Ajo shpjegoi se pas daljes nga Big Brother VIP Kosova, kur pa Gjestin në Big Brother Albania, ndjeu një zhgënjim të thellë. “Dyshimet e mia për ndjenjat e tij dolën të vërteta. Nëse një person të dashuron, nuk mundet pas dhjetë ditësh të bëjë të njëjtat gjëra me dikë tjetër. Më duket se është një lojë e përsëritur.”
Xheneta ishte e prerë për të ardhmen e raportit të saj me Gjestin.
“Gjesti ka zgjedhur të jetojë jetën e tij dhe t’i uroj suksese. Por ai nuk do të ketë më asnjë lloj kontakti me mua. Nuk do të jem pjesë e Big Brother Albania dhe nuk do të përballem me të,” tha ajo, duke shtuar se nuk beson më aspak tek ai.
Pavarësisht gjithçkaje, Xheneta theksoi se nuk e ka përmendur asnjëherë Gjestin për të përfituar famë, duke i uruar atij lumturi dhe sukses në jetën personale e profesionale.