“S’di nëse nëna ime është gjallë!”/ Familjarët të tronditur pas zjarrit në shtëpinë e të moshuarve në Beograd: Babai flinte pranë oxhakut, nuk e di…
Një zjarr i tmerrshëm ka shpërthyer në një shtëpi të moshuarish në Beograd, duke marrë jetën e tetë personave dhe lënë disa të tjerë të lënduar rëndë. Flakët përfshinë thuajse të gjithë ndërtesën, dhe sipas mediave serbe, thuhet se mes viktimave është edhe personi që shkaktoi zjarrin. Ai vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe ka vënë flakën dyshekut të tij, por zjarrmi përshkoi gjithnjë e më shumë ndërtesën.
Në vendngjarje kanë mbërritur familjarët e të moshuarve të cilët janë të tronditur dhe pa informacion nëse të afërmit e tyre kanë shpëtuar. Një qytetar, nëna e të cilit jetonte në atë banesë, shprehu shqetësimin e tij, duke thënë se nuk kishte asnjë informacion nëse ajo ishte gjallë, pasi ndodhej në katin përdhes të shtëpisë që u dogj.
Një tjetër çift i martuar tha se vjehrri i tyre ishte brenda, pranë oxhakut, dhe nuk kishin asnjë informacion nëse ai kishte shpëtuar, por shtuan se janë gjetur katër trupa mashkullor në gjendje të karbonizuar.
Ndërkohë, tre pacientë të lënduar nga zjarri ndodhen në Qendrën Klinike të Serbisë (QKS), në gjendje kritike për jetën. Mediat serbe raportojnë se janë duke u zbatuar të gjitha metodat e kujdesit intensiv mjekësor për këta pacientë.