Sarandë/ Tentoi të korruptojë policinë me 50 euro, shoqërohet në komisariat drejtuesi i BMW-së
Një 38-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore në Sarandë me një shumë prej 50 eurosh, në përpjekje për t’iu shmangur ndëshkimit ligjor.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Lefter Talo”, ku shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit, konstatuan një automjet tip “BMW” të ndaluar në mënyrë të gabuar, duke penguar qarkullimin normal të mjeteve të tjera.
Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i automjetit, shtetasi L. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, u përball me veprime procedurale për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, por në përpjekje për të shmangur gjobën, ai ka tentuar t’i japë efektivëve 50 euro.
Policia e shoqëroi menjëherë 38-vjeçarin në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë. Materialet i kaluan më pas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.