Sarandë/ Lirohet hapësira publike e zaptuar në plazh, procedohet penalisht administratorja e një subjekti privat
Operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë” vijon me intensitet përgjatë vijës bregdetare të Sarandës, duke synuar lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së subjekteve private gjatë sezonit veror.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, është konstatuar një tjetër rast zaptimi të paligjshëm të një sipërfaqeje toke publike në një stacion plazhi në qytetin bregdetar. Subjekti privat kishte vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi pa leje nga autoritetet kompetente.
Administratorja e këtij subjekti, shtetasja A. M., 63 vjeçe, është proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, në bazë të nenit 200 të Kodit Penal. Materialet për këtë rast janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.
Njoftimi i Policisë:
Sarandë
Vijon operacioni policor i koduar “Plazhi i lirë”, për lirimin e hapësirave publike në vijën bregdetare dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të zhvilluara nga subjektet private.
Lirohet një tjetër hapësirë publike në Sarandë, procedohet penalisht administratorja e subjektit që kishte zënë këtë hapësirë duke vendosur çadra dhe shezlongë, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, në një stacion plazhi në Sarandë, konstatuan se administratorja e këtij subjekti, shtetasja A. M., 63 vjeçe, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike, në të cilën kishte vendosur 44 shezlongë dhe 22 çadra plazhi, pa qenë e pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.
Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal ndaj shtetases A. M., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.
Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.