Sarandë/ Konflikti mes të miturve përfundon me plagosje, 17-vjeçari godet me thikë bashkëmoshatarin e tij
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në Sarandë, ku një 17-vjeçar ka plagosur me thikë një bashkëmoshatar të tij pas një konflikti për motive të dobëta.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:40, në rrugën “Butrinti”, ku dy të rinjtë janë përfshirë në një sherr, i cili ka degjeneruar në dhunë fizike. Si pasojë e goditjeve me mjet prerës, 17-vjeçari i plagosur është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Sarandës, autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.