Sarandë/ Kapet “tmerri i çantave” të turistëve! Arrestohet 29-vjeçari që vodhi para nga makinat, dyshohet…

Një tjetër goditje u dha nga Policia e Sarandës ndaj autorëve të vjedhjeve që kanë shqetësuar turistët e pushuesit.

Një 29-vjeçar nga Berati ra në pranga pasi u kap në flagrancë duke vjedhur para nga një çantë e lënë në një automjet në lagjen nr. 1 të qytetit.

I dyshuari, që kishte kthyer në objektiv çantat e braktisura në makina, akuzohet se një ditë më parë kishte marrë edhe 114 000 lekë nga një automjet tjetër në të njëjtën zonë.

Policia dyshon se i riu qëndron pas disa rasteve të ngjashme vjedhjesh në Sarandë.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Vijojnë goditjet në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, zbardhen dhe dokumentohen, nga Komisariati i Policisë Sarandë, dy raste vjedhjeje.

✅ Vihet në pranga 29-vjeçari që vidhte para nga çantat e lëna në automjete.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar “The last bag”, pas një pune hetimore të mirëorganizuar, arrestuan në flagrancë shtetasin K. S., 29 vjeç, banues në Berat.

Ky shtetas u kap në flagrancë më datë 19.06.2025, në lagjen nr. 1, Sarandë, pasi kishte vjedhur një shumë parash nga një automjet.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 18.06.2025, në të njëjtën lagje, ka vjedhur një shumë prej 114 000 lekësh nga një automjet tjetër.

29-vjeçari kryesisht synonte çantat e lëna në automjetet e turistëve, duke marrë prej tyre vetëm vlerat monetare dhe sendet me vlerë.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, i cili dyshohet si autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Sarandës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.