Sarandë, gjykata liron 6 nga 8 inspektorët e IKMT! Dorëzohet në doganë ish-Drejtori!
Gjyqtari i Gjykatës së Sarandës, Mikel Hysometaj dha masat e sigurisë për 8 zyrtarët e ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, të ndaluar duke shpallur të paligjshme arrestimet dhe duke ndryshuar masën e sigurisë të kërkuar nga Prokuroria për 6 nga të ndaluarit.
Prokurorja Silvana Belishta kishte kërkuar “arrest në shtëpi” për Ermen Strokën, Erald Likën, Denis Balilin, Viktor Qesarin, Oltion Durmishin dhe Tonin Simonin, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ASHK, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për Ina Papa, zyrtare e ASHK dhe Manushaqe Saliko ish-zyrtare e IKMT, të ndaluara nën të njëjtën akuzë.
Po sot Gjyqtari Hysometaj ka vendosur masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për 6 nga të ndaluarit, ndërsa për 2 i ka lënë në “Arrest shtëpie”. Me këtë masë janë lënë vetëm Stroka dhe Lika. Praktikisht Hysometaj ka lënë të lirë inspektorët e IMT të Bashkisë Sarandë dhe të IKMT.
Policia vazhdon ende të kërkojë Mariel Muratin dhe Kozeta Stathën, të dy ish Drejtorë të ASHK Sarandë. Statha dyshohen për veprën penale “shpërdorim detyre” ndërsa Murati për “ndërtim të paligjshëm”. Dhima, Statha dhe Balili rezultojnë me masa sigurimi aktive edhe për cështje të tjera penale.
Një hotel 7 katësh në lagjen nr.4 të Sarandës ka qenë shkaku i 11 urdhër ndalimeve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës. Hoteli në fjalë, rezulton në pronësi të ish Drejtorit të ALUIZNI Sarandë, Mariel Murati.