Sarandë/ Emërohet drejtori i ri i Kadastrës! Lirohen nga detyra 5 bashkëpunëtorët e Aida Demit, u shkarkua se legalizoi truall për hotel në det

Katër ditë pasi shkarkimit të Aida Demit Eugen Prifti është emëruar drejtori i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë.

Eugen Prifti është emëruar drejtori i ri i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, katër ditë pasi është shkarkuar paraardhësja e tij Aida Demi.

Prej 6 muajsh Prifti ka qenë zëvendësregjistrues në Sarandë. Gazetari i Report tv Limos Didani bën me dije gjithashtu se 5 punonjës te ASHK Sarandë janë liruar nga detyra. Vendimi është marrë dje nga Drejtoria e Përgjithshme.

Sipas burimeve policore  ditën e premte janë sekuestruar disa dosje pranë sektorit te legalizimeve dhe regjistrimit të pasurive pranë kësaj Drejtorie të cilat do të referohen pranë Prokurorisë së Sarandës për hetime të mëtejshme.

Aida Demi u shkarkua nga drejtimi i Kadastrës së Sarandës, pas investigimit në media se familja e saj ka përfituar tokë që më parë ka qenë det dhe ka ndërtuar hotel. Trualli i cili është blerë me proces privatizimi në vitin 1992, sipas denoncimit, gllabëroi një pjesë të konsiderueshme të bregut të detit, pjesë që u mbush me inerte dhe u kthye në tokë. Në certifikatën e pronësisë familja Demi ka shënuar më shumë metra katrorë sesa bleu.