Sarandë/ Drejtonte automjetin pa leje dhe tentoi të korruptojë policinë, arrestohet 35-vjeçari

Një 35-vjeçar është arrestuar në Sarandë pasi u kap në flagrancë duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi dhe tentoi të korruptonte policinë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë arrestuar K. H., 35 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Greqi.

Gjatë patrullimeve në lagjen nr. 2, shërbimet e patrullës “Shqiponja” ndaluan një automjet tip Seat, me drejtues shtetasin K. H. Pas kontrollit, u konstatua se ai po drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Për të shmangur masat ligjore, 35-vjeçari u përpoq të korruptonte punonjësit e policisë duke u ofruar 50 euro.

Policia e Sarandës ka vijuar angazhimin e saj për zbatimin e ligjit dhe garantimin e sigurisë rrugore, duke goditur çdo tentativë për shkelje apo korrupsion. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme ligjore.