Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, Reuters: Shqipëria e vogël mirëpret liderët e mëdhenj të Evropës

Shqipëria, një vend me aspirata të forta europiane dhe një të kaluar të rëndë komuniste, mirëpret sot liderët e shteteve më të fuqishme të Evropës për Samitin e Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje që sipas agjencisë prestigjioze Reuters pritet të dominohet nga diskutimet mbi luftën në Ukrainë dhe sfidat e sigurisë globale.

Takimi që zhvillohet në një strukturë të re gjigante për konferenca në Tiranë, përfshin pjesëmarrjen e liderëve si presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer, në një moment kritik kur Rusia dhe Ukraina përgatiten për raundin e parë të bisedimeve për paqe që nga fillimi i konfliktit.

Megjithatë, për vendet e vogla të Ballkanit, si Shqipëria, ky samit paraqet edhe një mundësi për të tërhequr vëmendjen ndaj aspiratave për integrimin në Bashkimin Evropian. Shqipëria, e cila mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës, përballet ende me sfida serioze në sundimin e ligjit, pastrimin e parave dhe transparencën politike.

Ndërkohë, aeroporti i Tiranës ka paralajmëruar ndërprerje të mundshme të fluturimeve për shkak të ngarkesës ajrore të rritur, ndërsa kryeqyteti shqiptar po përballet me kufizime të forta në qarkullimin rrugor për të garantuar sigurinë e ngjarjes.

Në sfond, politika e brendshme e Shqipërisë po kalon nëpër një periudhë të trazuar, me zgjedhjet e fundit që janë në hetim nga prokuroria mes akuzave për manipulim nga opozita. Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka bërë thirrje për një protestë paqësore gjatë samitit, duke theksuar sfidat me të cilat përballet vendi në rrugën drejt BE-së.

Ndërkohë, edhe vendet fqinje si Kosova dhe Serbia, që ndjekin të njëjtën rrugë integrimi, po përballen me tensione të vazhdueshme politike dhe diplomatike.