Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë më 16 maj, Rama publikon videon: Liderët e kontinentit do të bëhen bashkë në zemër të kryeqytetit

Kryeministri Edi Rama ka ndarë me publikun një video përmes së cilës njofton se më 16 maj Tirana do të mirëpresë liderët e vendeve evropiane në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, një ngjarje madhore për vendin dhe rajonin.

Në nisje të videos dëgjohet fjalimi i presidentit francez Emmanuel Macron, i cili thekson se kjo nismë e re evropiane synon të forcojë bashkëpunimin politik dhe të sigurisë, si dhe lidhjet në fushat e energjisë, transportit, investimeve, infrastrukturës dhe lëvizjes së lirë, veçanërisht për të rinjtë.

“Mirëmëngjes dhe me krenarinë për faktin se në 16 maj, do të bëhen bashkë në zemër të Tiranës për Samitin e Komunitetit Politik Europian, liderët e të gjithë kontinentit tonë të demokracive, nga Londra në Kiev e nga Oslo në Ankara, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama krahas videos që publikoi në rrjetet sociale.

Ky samit konsiderohet një mundësi e artë për Shqipërinë për të treguar rolin e saj si faktor stabiliteti dhe partner i besueshëm në rajon dhe më gjerë.