Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë, liderët europianë priten nga kryeministri Rama

Tirana është kthyer sot në epiqendrën e diplomacisë europiane, teksa po zhvillohet Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Europian (EPC), i cili mbahet për herë të parë në Ballkanin Perëndimor nën moton “New Europe in a new world”.

Liderët dhe krerët e qeverive nga 47 vende të kontinentit, së bashku me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, janë mbledhur në kryeqytetin shqiptar për të diskutuar mbi të ardhmen e Europës dhe sfidat e përbashkëta.

Mbërritja e delegacioneve nisi në orët e para të mëngjesit pranë Muzeut Historik Kombëtar, nga ku liderët e ftuar u drejtuan më pas drejt godinës së Operës, ku u pritën personalisht nga kryeministri Edi Rama.

Në hyrje të ambienteve të ndërtuara enkas për këtë samit, pas monumentit të Skënderbeut, pjesëmarrësit kaluan pranë një instalacioni artistik të veçantë, të zbukuruar me vizatime të fëmijëve shqiptarë, të cilët kanë shprehur përmes ngjyrave dhe vizatimeve mënyrën se si e perceptojnë ata Europën.

Pjesëmarrësit e samitit do të diskutojnë fillimisht në një seancë plenare të dedikuar sigurisë dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen e kontinentit, ndërsa më pas do të ndahen në tri tryeza të nivelit të lartë për tema të ndryshme, përfshirë sigurinë dhe qëndrueshmërinë demokratike, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike, si dhe fuqizimin e të rinjve.

Programi i ditës parashikon mbërritjen e delegacioneve dhe deklaratat për media në orën 10:00, pasuar nga ceremonia zyrtare e hapjes në orën 11:00 dhe fotografia familjare në orën 11:30.

Pas një dreke zyrtare, liderët do të zhvillojnë takime dypalëshe dhe sesionin përmbyllës plenar, ndërsa ngjarja do të mbyllet në orën 18:30 me një konferencë të përbashkët për shtyp nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Danimarkës, vendi që do të presë samitin e ardhshëm të EPC-së.