Samiti i Komunitetit Politik Europian në Tiranë, Kaya Kallas: Rusia nuk do paqe, duhet t’i shkurtojmë fondet Kremlinit

Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që po zhvillohet në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian, Kaya Kallas, ka mbërritur sot në Shqipëri, duke përcjellë një mesazh të fortë për unitetin europian përballë agresionit rus.

Gjatë një deklarate për mediat, Kallas theksoi rëndësinë e qëndrimit të përbashkët të vendeve europiane për të shkurtojnë burimet financiare të Kremlinit, në mënyrë që të ndalojnë mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Në fakt, kemi tashmë një paketë sanksionesh për energjinë dhe një udhërrëfyes që e kemi propozuar javën e kaluar bashkë me paketën e sanksioneve. Ne duhet t’u shkurtojmë fondet për të vazhduar këtë luftë. Duhet të jemi të gjithë të bashkuar, sepse shohim qartësisht se Rusia nuk do paqe,” tha Kallas.

Ajo përshëndeti gjithashtu përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të ushtruar trysni ndaj Moskës dhe vlerësoi bisedimet e ardhshme në Turqi si një hap të rëndësishëm drejt ndërprerjes së konfliktit.

“Bisedimet në Turqi janë një propozim shumë i mirë dhe janë të rëndësishme, sepse përcjellin një mesazh të qartë se amerikanët janë për t’i ushtruar trysni Rusisë, ashtu si dhe ne,” shtoi Kallas.

Samiti në Tiranë po mbledh liderët europianë për të diskutuar sfidat kryesore të sigurisë, qëndrueshmërisë demokratike dhe bashkëpunimit ekonomik në kontinent.