Samiti i Komunitetit Politik Europian, disa liderë largohen më herët nga Tirana

Disa nga liderët pjesëmarrës në Samitin e Komunitetit Politik Europian, i cili po zhvillohet në Tiranë, janë larguar para përfundimit të punimeve, duke mos marrë pjesë në pjesën e dytë të samitit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u nisën drejt aeroportit të Rinasit menjëherë pas drekës zyrtare, pas përfundimit të sesionit të parë të zhvilluar në Shtëpinë e Europës.

Ndërkohë, liderët e tjerë europianë vijuan diskutimet, duke përcjellë nga Tirana një qëndrim të bashkuar kundër agresionit rus në Ukrainë dhe duke bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Gjatë punimeve të samitit, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një bisedë të përbashkët telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump, në të cilën morën pjesë edhe liderë të tjerë si presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari Merz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe homologu polak Donald Tusk.

“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapa të shpejtë drejt paqes. Nëse Rusia nuk pranon një armëpushim të plotë dhe përfundim të agresionit, komuniteti ndërkombëtar duhet të përgjigjet me sanksione më të forta,” shkroi Zelensky në rrjetin social “X”, duke falënderuar vendet që vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.