Samiti i BE në Shqipëri, Tirana bëhet kryeqendra e kontinentit me 53 liderë europianë
Tirana është bërë sot qendra politike e Evropës, pasi pret Samitin e Komunitetit Politik, ku marrin pjesë 53 liderë europianë, përfshirë presidentë, kryeministra dhe përfaqësues të institucioneve si Bashkimi Europian, NATO dhe OSBE. Samiti, i organizuar bashkërisht nga Presidenti i Këshillit Europian, António Costa dhe kryeministri Edi Rama, zhvillohet në sheshin “Skënderbej” dhe nis punimet në orën 11:00, duke përfunduar me konferencën përmbyllëse në orën 18:30, ku Rama dhe kryeministrja e Danimarkës do të japin mesazhet e tyre, pasi Danimarka do të presë samitin e ardhshëm.
Në një konferencë të përbashkët për mediat, kryeministri Edi Rama tha se asnjëherë nuk e kishte humbur besimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke e krahasuar këtë proces me një histori dashurie. “Unë nuk e kam humbur asnjëherë besimin, por kam thënë që kjo është një histori dashurie, deri kur ana tjetër do të ndjejë nevojën për ty, ti s’duhet të dorëzohesh. Ndërkohë që ti rri poshtë dritares duke bërë serenatë, deri sa të hapet dritarja. Dritarja është hapur, çarçafi është hedhur dhe ne tani, të dashuruarit, duhet të ngjitemi,” u shpreh Rama.
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i cili ndodhet në Shqipëri për samitin, vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare dhe theksoi se anëtarësimi është i mundur para vitit 2030, nëse vendi përmbush detyrat e tij. “E gjitha kjo varet nga ecuria juaj. Unë jam i sigurt që me këtë mesazh të fortë që kam për shqiptarët dhe për ju, Edi, dhe ekipin tuaj, unë jam i sigurt që do të bëni një punë të shkëlqyer. Vitin tjetër unë jam i sigurt që nuk do t’i përgjigjem të njëjtës pyetje. Po, Shqipëria do të bëhet vend anëtar së shpejti,” deklaroi Costa.
Rama, në përgjigjen e tij, theksoi se Shqipëria duhet të bëjë detyrat e saj përpara se BE të vendosë për hapjen e dyerve. “Ne do të bëjmë tonën, se po nuk bëmë ne tonën, nuk ka çfarë bën as Antonio, që e do me zemër këtë proces. Për sa kohë nuk hyjmë në BE, do të mbetemi të huaj. Për ne nuk është çështje as fondesh e as prosperiteti, por në radhë të parë është çështje dinjiteti dhe identiteti,” tha Rama.
Në konferencën e përbashkët, Antonio Costa përgëzoi Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar Shqipërinë si mishërimin e procesit të zgjerimit të BE-së. “Faleminderit i dashur Kryeministër për këtë mikpritje kaq të ngrohtë! Shqipëria është mishërimi i procesit të zgjerimit të BE-së. Rezultati i zgjedhjeve konfirmoi dëshirën e qytetarëve shqiptarë për t’u integruar në BE. Anëtarësimi në BE është objektivi ynë i përbashkët,” u shpreh Costa.